130 mijë persona nga diaspora aplikuan për të votuar

Shërbimi votues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është duke vazhduar me shqyrtimin, verifikimin dhe regjistrimin e aplikacioneve të cilat janë pranuar deri më 21 janar.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për IndeksOnline se deri në mesditën e sotme (e mërkurë, 27 janar) në sistem janë futur rreth 130 mijë aplikacione për regjistrim, ndërsa deri më tani janë aprovuar rreth 46 mijë. Sipas të dhënave nga shërbimi votues janë edhe 27 mijë e-maila të pahapura.

“Vetëm pas përfundimit të të gjithë kësaj periudhe të shqyrtimit, vlerësimit dhe verifikimit të aplikacioneve, në fund do të kemi një raport të detajuar ku do ta dijmë saktë se sa është numri i aplikimeve për t’u regjistruar si votues jashtë vendit dhe se sa prej do të regjistrohen suksesshëm pasi kanë plotësuar kriteret ligjore”, ka thënë Elezi.

Të gjithë qytetarët të cilët regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës do të mundet të votojnë përmes postës duke filluar më 2 shkurt. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më 12 shkurt.

“Deri më 27 janar, sipas raportit të mesditës, në qendrën e thirrjeve për konfirmimi dhe verifikim të aplikacioneve, janë realizuar rreth 39 mijë thirrje, prej tyre në rreth 32 mijë aplikues kanë konfirmuar të dhënat e tyre, ndërsa rreth 7 mijë e 300 persona nuk e kanë hapur telefonin. Do të bëhen tentime të radhës me qëllim të verifikimit dhe konfirmimit”, ka deklaruar Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së thotë se nga numri i përgjithshëm i atyre që janë lajmëruar në telefon, 51 persona të cilët janë kontaktuar kanë thënë se nuk janë personat konkret. Pra, nuk e kanë emrin, mbiemrin, datën e lindjes dhe shtetin, sikurse në të dhënat nga aplikacioni për regjistrim ose kanë deklaruar se nuk aplikuar fare për regjistrim për të votuar përmes postës.