Frank Lampard më nuk është trajneri i Chelseat. Skuadra nga Londra, të hënën nëpërmjet një njoftimi ka njoftuar për shkëputjen e kontratës me Lampardin, i cili ishte në krye të ekipit prej edicionit 2019/20 dhe kishte kontratë deri në vitin 2022.
Klubi ka shkruar se për shkak të rezultateve të fundit dhe performacaneve, drejtuesit ishin të detyruar të marrin një vendim të tillë.
“Ky ka qenë një vendim shumë i vështirë. Ne jemi mirënjohës Frankut për ato që ai i ka arritur në kohën e tij si kryetrainer i klubit. Sidoqoftë, rezultatet dhe performancat e fundit nuk i kanë përmbushur pritjet e klubit, duke e lënë Klubin në mes të tabelës pa ndonjë rrugë të qartë drejt përmirësimit të qëndrueshëm”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Chelseat.
Pas 19 ndeshjeve të luajtura këtë sezon në Premier League, Chelsea zë vendin e nëntë në tabelë me 29 pikë të mbledhura.
Klubi nuk ka bërë të ditur se kur do të emërohet zëvendësuesi i Lampardit por nëpër mediumet angleze ditëve të fundit po qarkullojnë emrat e Thomas Tuchelit dhe Massimiliano Allegrit.