Sot në orët e para të mëngjesit dyshohet se ka ndodhur një vjedhje në fshatin Carralevë të Shtimes, rast ky për të cilin Gazeta Sinjali ka siguruar pamje dhe detaje të reja.
Një sinjalizues i Sinjalit ka dërguar fotografi dhe video nga vendi i ngjarjes ku dyshohet se ndodhi vjedhja e disa akumulatorëve dhe pajisjeve të tjera të punës, në orën 04:00 të mëngjesit.
Sipas sinjalizuesit “hajnat” që kanë hyrë për të vjedhur janë djem të axhës mes vete, ku njëri prej tyre ishte edhe ish-punëtor në kompaninë e personit që e raportoi rastin në Polici.
Por cila është arsyeja pse ish-punëtori dyshohet se vodhi sipas sinjalizuesit?
E gjithë kjo ngjarje sipas sinjalizuesit ka ndodhur me arsyen se ish-punëtori kinse nuk e kishte marrë rrogën nga kompania ku ka punuar dhe për t’u hakmarrë ndaj ish-pronarit dyshohet se kreu këtë vjedhje.
Sinjali mëson se në këtë kompani, punëtorët nuk kanë pasur probleme sa i përket pagave.
Në videon e dërguar te Sinjali shihet edhe një armë, e cila sipas sinjalizuesit nuk është reale dhe se e njëjta është dorëzuar në polici.
Rastin për Gazetën Sinjali e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale e Ferizajt, ku njoftuan se sipas të dyshuarit gjashtë akumulatorët janë vjedhur në emër të një borxhi të mëhershëm.
“Ankuesi ka raportuar se një person ia ka vjedhur gjashtë akumulatorë, rasti është duke u hetuar nga policia e Kosovës. I dyshuari ka deklaruar se ia ka marrë akumulatorët në emër të një borxhi të mëhershëm.”
Ky rast është cilësuar si vetëgjyqësi dhe personi i dyshuar është liruar.
Më poshtë mund t’i shihni pamjet e dërguara nga Sinjalizuesi.