Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se shkaku i reshjeve të shiut që do të fillojnë nga sot, mund të ketë sërish vërshime në disa zona të vendit.
Sipas IHMK-së, komunat ku mund të ketë vërshime janë: Gjakova, Juniku, Deçani, Peja, Istogu, Klina, Malisheva, Rahoveci, Theranda, Mamusha, Prizreni dhe Dragashi.
Në pjesët e tjera të vendit pritet që sasia e reshjeve të jetë më e vogël.
“Reshjet të cilat pritet të fillojnë nga datë 23/01/2021, fillimisht do të përfshinë pjesën perëndimore të Kosovës (Brezin malorë të Alpeve Shqiptare), do të shtrihen gradualisht kah lindja, fillimisht me intensitet mesatarë deri të lartë, duke përfshi disa pjesë të komunave si: Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, Istog, Klinë, Malishevë, Rahovec, Therandë, Mamushë, Prizren, Dragash etj, të cilat mund të shkaktojnë vërshime të shpejta. Ky është njoftimi formal për këtë ngjarje dhe se kjo nuk do të thotë se do të ndodhë përmbytja e shpejtë, por ajo është e mundur”, thuhet në njoftim.