Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë dy ditëve të ardhshme parashihet mot i vranët dhe intervale me diell.
Po ashtu do ketë edhe reshje të lehta shiu në disa vende.
“Moti për dy ditë 22-23.01.2021. Mot i vranët dhe me intervale me diell parashihet të mbajë gjatë dy ditëve të ardhshme. Vranësirat herë-herë do të dendësohen, kështu që vende-vende do të sjellin reshje shiu të intensitetit të ulët deri mesatar”, thuhet në njoftim.
Tutje sipas IHK-së, gjatë këtyre dy ditëve nuk parashihet të ketë ngrica, temperaturat do lëviznin nga 1 gradë celsius ato minimale deri në 11 gradë celsius maksimale.
“Për shkak të prezencës së masave të ajrit nga drejtimi i jugut dhe juglindjes, nuk parashihet të ketë ngrica, kurse mjegull të dobët parashihet vetëm për rreth viseve të larta. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 9-11 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugut dhe juglindjes me shpejtësi 1-6m/s,” thuhet tutje në njoftim.