Xhafer Berisha ka marrë e besimin e degës së VV-së në Klinë dhe më pas të Qendreës në Prishtinë për t’u futurë në listën për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Lexojeni të plotë postimin e Xhafer Berisha:
Përshëndetje miq, dashamirë dhe përkrahës,
Sot po u drejtohem ju, kur jemi një muaj para zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Parlament të Republikës së Kosovës, të cilat do mbahen me 14 Shkurt. Zyrtarisht jam i përzgjedhur nga Kryesia e Klinës për të kandiduar për Deputet të Parlamentit të Republikës së Kosovës, kurse, në listë për deputet mbaj numrin 93.
Nuk po u drejtohem ju thjeshtë si një numër më tepër në kuti të votimit, por po u drejtohem që të marr besimin dhe përkrahjen e juaj, si subjekte përmbajtësore, e si qytetarë të Republikës së Kosovës. Po u drejtohem meqë në takimet që i kemi mbajtur dhe që do i mbajmë, kam mësuar dhe vazhdoj të mësoj shumë nga secili person.
Së pari, dua të përkujtoj që gjendemi në rrethana të jashtëzakonshme, kur zgjedhjet na vijnë si një udhëkryq historik, në një kohë të një pandemie globale. Prandaj, jemi plotësisht të vetëdijshëm që takimet tona nuk do të jenë aq masive si më parë, në respektim të shëndetit të njëri-tjetrit, porse, do sigurohemi që me stafin e LVV-së, Qendrës në Klinë dhe Vullnetarëve tonë të palodhshëm, të krijojmë rrethanat më optimale që ne të jemi në kontakt të vazhdueshëm, nëper fshatrat dhe në qytet, e poashtu, duke mbajtur kontakt të pashkëputur nëpërmjet rrjeteve sociale. Bota moderne nuk është më siç ka qenë 1 vit më parë, prandaj, edhe ne do duhet të përshtatemi duke e fokusuar kampanjën edhe në rrjetet sociale, duke u informuar rreth programit elektoral.
Pse e kërkoj përkrahjen tuaj në zgjedhjet e 14 Shkurt-it? Unë si Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE, Qendrës në Klinë, Kryesia dhe Këshilli, e poashtu Shtabi dhe stafi ndihmës, mendojmë që Klina e meriton një zë në demokracinë e Kosovës, pra, në Parlamentin tonë. Klina ka vuajtur nga zërat e shuajtur të partive tjera në Parlament, ku deputetët ishin më shumë numra se përmbajtje, e ku Komandanti Rexhep Selimi, pa përkrahjen e deputetëve të tjerë të Klinës, e kishte të vështirë punën dhe lobimin e tij për ne. Andaj, sot e kemi mundësinë që të kemi një deputet në Parlament, i cili avokon interesat e komunës sonë, i cili gjendet në qytet dhe fshatrat e Klinës, ditë-për-ditë dhe i cili duke jetuar në afërsi të qytetarve, i di interesat, brengat dhe shqetësimet e tyre, më mire se kushdo.
Eshtë fatkeqësi që reformat zgjedhore nuk janë bërë, ku do mundësohej që gara të bëhej në 7 apo në 38 zona zgjedhore, nga një për secilen komunë, e ku gara do bëhej më përmbajtësore dhe cilësore, meqë kandidatët do kandidonin vetëm ndaj kundër-kandidatëve të asaj komune, kështu, duke mundësuar që Klina të ketë 2 apo 3 deputetë dhe zë në Parlament. Poashtu, nuk kemi një sistem bicameral (dydhomësh) sikur, në Britani të Madhe, ku dhoma e lartë do kishte automatikisht nga 2 apo 3 deputetë dhe kështu duke pasur zë të garantuar në Parlament. Por, mëqe këto kushte nuk ekzistojnë për momentin, ju kërkoj që të jepni përkrahjen tuaj në ditën e zgjedhjeve, ku me krijimin e mandatit të ri legjislativ të arrijmë të bëjmë këto reforma.
Padyshim, që gjatë kampanjës do informohemi më tutje dhe më tepër rreth programit të Lëvizjes VETËVENDOSJE, dhe poashtu, rreth qëndrimeve e premtimeve të mija personale ndaj qytetarit të Klinës. Porse, duke njohur Statutin dhe rregulloret e tjera të LVV-së, ne do jemi të përkushtuar ndaj një programi të qendrës së majtë, me program social-demokrat, ku qeveria jonë do ketë në pah mirëqenien sociale, dhe rregullat e lojës do vendosen në debat të vazhdueshëm midis Qeverisë, Parlamentit dhe interesave më bazike të qytetarëve, sic janë adresimi i punësimit, të drejtat e punëtoreve, paga minimale, asistencë sociale për fëmijët, asistencë urgjente për familjet dhe bizneset përgjatë pandemisë Korona, përqëndrimi i fuqisë punëtore në sektoret prodhues ku kemi përparësi krahasuese relative, ndaj vendeve fqinjë, sic janë bujqësia, pemëtaria, subvencionimi, etj.
Andaj, duke pritur në krijimin e programit, takimeve të ardhshme me qytetarët tanë, u bëj ftesë dhe kërkesë që ndër zgjedhjet e juaja për deputetë në Parlamentin e Kosovës, të keni edhe numrin 93.
Aty ku është qytetari i Klinës, jemi dhe ne.
I juaji,
Xhafer Berisha.
17.01.2021