Nga shkurti do të fillojnë pagesat për bujqit e blegtorët

Malishevë, 10 janar (KosovaPress) – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Musatafa, ka vizituar fermerët e Komunës së Malishevës, nga ku edhe ka premtuar mbështetje për ta.

Mustafa, gjatë vizitës së tij në njërën nga pikat grumbulluese të qumështit në këtë komunë, ka thënë se është i lumtur pasi që Qeveria e Kosovës kishte mundësi financiare t’i ndihmonte bujqit gjatë vitit 2020 përmes subvencioneve, ku një pjesë e pagesave vetëm ka përfunduar.

“Është lajm i mirë që kemi pasur mundësi financiare me kryeministrin dhe Ministrin e Financave që të sigurojmë fonde të mjaftueshme edhe përmes ligjit të buxhetit, pra duke i garantuar fonde që të kemi pagesë dy herë të subvencioneve për vitin 2020, dhe një pjesë e madhe ka përfunduar”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë se pavarësisht zhvillimeve politike, fondet për bujqit janë të garantuara edhe pjesa tjetër e pagesave për bujqit dhe blegtorët do të bëhet gjatë këtij viti, më fillimin e rialokimit të buxhetit.

“Me kalimin e Ligjit për Rimëkëmbje ekonomike dhe me kalimin e Ligjit për Buxhetin e vitit 2021, këto fonde janë të garantuara, pavarësisht çdo zhvillimi, këto janë të garantuara për bujqit, për blegtorët në gjithë Kosovën. Këto fonde do të fillojnë të paguhen në muajin shkurt, ka mbetet edhe një pjesë e këstit të dytë për tu realizuar për tu përfunduar të gjitha pagesat e vitit 2020, pra në shkurt me fillimin e rialokimit të buxhetit”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë se për cilësinë e qumështin kanë bërë dyfishimin e subvencioneve për vitin 2020, ndërsa ka shtuar se edhe për blegtorët është bërë dyfishimi i subvencioneve për krerët e gjedheve, nga 70 euro që ishin në vitin 2019, në 140 euro për vitin 2020.