Para 29 viteve, më 1 shkurt 1990, gjatë demonstratave kundër represionit shtetëror, u vra nga policia serbe 16 vjeçarja Ylfete Humolli. Dëshmitarët thonë se fjalët e vetme të saj para se të jepte shpirt ishin: “Ku është Mentori?”
Mentori ishte vëllai i saj 13 vjeçar, që gjithashtu po protestonte atë ditë. Mentori e Ylfetja ishin prototipi i një brezi që nuk pati kurrë fëmijëri, sepse ata u rritën para kohe nga tymi i gazit lotsjellës.
Nëntë vite më vonë, Mentori do ta vishte uniformën e UÇK-së dhe në moshën 23 vjeçare do të vritej në Betejën e Koshares.
Sot, në fshatin Lupç, buzë lumit Llap, janë dy varre-lapidare që përjetësojnë kujtimin për motrën dhe vëllain të rënë për liri.