Nazmi Bashota u lind më 9 prill të vitit 1975 në fshatin Kushtrim (ish-Cerovik). Babai Xhemajli dhe nënë Sadberja rriten bijtë: Nazmiun, Malën, Binakun dhe Hamdiun si dhe bijat: Fatimen e sevdijen.
Shkollën fillore e kreu në Kijevë, ndërsa të mesmen në fshatin Llozicë. Vazhdoi studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike, dega Histori – gjeografi në Gjakovë.
Nazmi Bashota rrjedh nga një familje me tradita atdhedashëse dhe liridashëse. Gjyshi i tij, Malë Bashota ishte luftëtar i përkushtuar i çështjes kombëtare, bashkëluftëtar i ideatorëve dhe kryetarit të LNDSH-së, Imer Berisha dhe Mustafë Ibishit, të cilët u rreshtuan në ballë të luftës për mbrojtjen e interesave kombëtare, në kohën kur po shihej se lufta e partizanëve të Fadil Hoxhës ishte tradhtuar, ishte shfuqizuar Rezoluta e Kuvendit të Bujanit, e cila parashihte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Mbas shumë betejave kundër riokupimit të Kosovës, Malë Bashota bie heroikisht në fushëbetejë kundër forcave serbe duke i lënë shumë ushtarë serbë të vrarë në betejën e Garaqevës në afërsi të fshatit Sferkë e Gashit. Së bashku me Malën bien heroikisht edhe Mustafë Ibishi, Xajë Pataçani, Halil Imeri e të tjerë.
Nazmiu, qysh në rini ishte rritur nën frymëzimin nga tradita patriotike e gjyshit dhe bashkëluftëtarëve të tij. Ai kishte fatin e mirë të takonte e t’i dëgjonte në kullën e Mujë Bashotës shumë prej eprorëve të luftës së UÇK-së si Azem Syla, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Sokol Bashota dhe shumë të tjerë, të cilët i dëgjonte me shumë vëmendje. Ky djalosh i ri kalitej me ide përparimtare e patriotike dhe po përgatitej të bëhej ushtar i përkushtuar i UÇK-së, pikërisht atëherë kur Serbia okupatore po shtrihej lirshëm në Kosovë, pikërisht atëherë kur Kosova po ngopej me fjalë boshe të propagandës pacifiste të udhëhequr nga kreu i LDK-së, në momentet më vendimtare për fatin e Kosovës.
Nazmiu së bashku me vëllezërit dhe djemtë e axhës veshin uniformën e UÇK-së, uniformën e shpresës së madhe për ardhmërinë e Kosovës. Në fillim sistemohet në kuadër të njësitit “Zogu”, në fshatin Kushtrim. Në atë vend u zhvilluan shumë luftime të ashpra duke i sjellë dëme të mëdha forcave të armatosura të Serbisë, të cilat ishin përqendruar në fshatin Kijevë.
Ishte koha kur në verë të vitit 1998, Serbia ngriti peshë tërë diplomacinë perëndimore, duke e cilësuar Kijevën si vendin më të rrezikshëm në Evropë, meqë ajo mbahej nën rrethim nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila kishte zënë Grykën e Llapushnikut, duke iu pamundësuar forcave serbe të lëviznin me ushtri e polici në drejtim të Klinës e të Pejës.
Përveç në luftimet që janë zhvilluar në fshatin e tij, Nazmiu merr pjesë edhe në shumë vende tjera ku zhvilloheshin luftimet më të ashpra. Ndër ofansivat serbe që mbahen mend përnga numri i madh i forcave serbe është ajo e 25 shtatorit të vitit 1998 në fshatin Kushtrim, kur Nazmiu ishte pjesëmarrës aktiv, duke pamundësuar depërtimin e forcave serbe në drejtim të Drenicës.
Në kuadër të strukturimit të UÇK-së Nazmiu sistemohet në Brigadën 113 “Mujë Krasniqi” të Zonës Operative të Drenicës në detyrën e policit ushtarak. Në vitin 1999, Nazmiu merr pjesë në luftimet përgjatë vijës luftarake nga Gryka e Llapushnikut e deri te Gryka e Dollcit. Janë për t’u përmendur edhe aksionet e shumta ku shquhet dëshmori Nazmi Bashota, si në Abri, Likoc, Gullbovc, Plloçicë e Llozicë.
Te ura e Llozicës, Nazmiu së bashku me shokët e njësitit “Zogu”, Naim Bashota, Sadik Gashi, Zenel Bashota, Fitim Jakupi (dëshmor) e të tjerë, ndërmerr një aksion mbi forcat serbe, duke vrarë katër ushtarë të tyre.
Më dy maj të viti 1999, në fshatin Gullbovc, Nazmiu së bashku me shokët e njësitit “Zogu”, përballet me forcat serbe në një distancë të vogël.
Dy ditë më vonë ai vihet në ballë të një aksioni për t’ua prerë krahët forcave serbe, të cilat ishin shtrirë në lindje të fshatit Gullbovc të Malishevës. Atë ditë ishte së bashku me ushtarët: Abedin Mehmeti, Ekrem Jakupaj, Sefer Mehmetaj, Avni Morina e Beqir Hoxha. Ata luftuan ballë për ballë kundër forcave serbe, të cilave u shkaktuan dy të vrarë e disa të plagosur. Në këtë betejë bie trimërisht edhe Nazmiu, luftëtari i dalluar dhe i përbetuar për sendërtimin e idealeve çlirimtare. Vëllai i tij Binaku, po ashtu luftëtar i lirisë,qysh nëvitin 1997, mori pjesë në tërheqjene kufomës së vëllait, dëshmor.
Varrimi i Nazmiut të rënë dëshmor u bë me nderime të larta ushtarake në fshatin Tërdevc të Drenicës.
Pas luftës bashkëluftëtarët e rivarrosin në varrezat e dëshmorëve të kombit në vendin e quajtur “Kodra e Kuqe”, në Klinë.
Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga Kuvendi komunal i Klinës dhe nga shoqatat e luftës së UÇK-së. (A. Q.)