Diplomati Sabri Kiçmari i cili këto ditë zyrtarizoi bashkimin me Lëvizjen Vetëvendosje, është kundërpërgjigjur ndaj atyre që kanë reaguar pas vendimit të tij për të kaluar në partinë që drejton Albin Kurti.
Kiçmari përmes Facebook ka thënë se ka mbi një dekadë që nuk ka ndonjë lidhje me PDK-në.
“Eksponentë të PDK-së në rrjetet sociale po drejtojnë bajoneta helmuese verbale, me gjuhë të ndytë, në drejtim timin për shkak të anëtarësimit tim në Lëvizjen Vetëvendosje! Nuk dua t’u përgjigjem me të njëjtën gjuhë. Nuk përkon me etikën time politike dhe nivelin tim intelektual”, ka shkruar ai në Facebook.
“Ka mbi njëmbëdhjetë vite që unë nuk kam asnjë lidhje me PDK. Në detyrën e Ambasadorit jam pranuar me konkurs. Kandidatura ime është mbështetur nga komisioni i MPJ, nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës dhe më pas jam dekretuar nga Presidenti Sejdiu. Në mandatin e dytë jam dekretuar nga presidentja Jahjaga”.
“E di se udhëheqjes së PDK nuk i është prishë fare qejfi, që unë të largohesha nga Kosova në vitin 2008, për shkak të një numri mosmarrëveshjesh konceptuale që kam pasur me ta”./