Gjykata e Themelore e Prishtinës ka marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj ndaj dy të dyshuarve, Labinot Gruda dhe Kadri Shala për rastin e vjedhjes së mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.
Këtë e kanë konfirmuar për Telegrafin nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
“Bazuar në pyetjen tuaj ju informojmë se me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të pandehurit L.G i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj nga data 19 nëntor 2020 deri më 18 janar 2021, edhe të pandehurit K.SH i është vazhduar po ashtu për dy muaj nga data 25 nëntor 2020 deri më 24 janar 2021”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore.
Lexo po ashtu:
Prokuroria “hesht” për vjedhjen e 2.1 milionë eurove në Thesarin e Shtetit dhe kasafortës në AUV
Kujtojmë se përmes një konference të jashtëzakonshme për media, ministrja e Financave Hykmete Bajrami njoftoi opinionin për një vjedhje jo të zakonshme, ajo kumtoi lajmin se në Thesarin e Shtetit ishin “avulluar”, më tepër se 2 milionë euro.
Pa dhënë shumë detaje ministrja tregoi se bëhej fjalë për 4 transaksione të dyshimta nga Thesari, me vlerë rreth 2.1 milionë eurove që ishin transferuar tek një Operator Ekonomik.
Deri më tani nuk janë dhënë detaje tjera shtesë lidhur me këtë rast nga ana e Prokurorisë Speciale e cila është duke kryer hetimet.