Policia ka konfirmuar grabitjen e armatosur të ndodhur para pak çastesh, në Podujevë.
I dyshuari kishte shtënë me armë për të kryer veprën, por nuk ka persona të lënduar.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka thënë se rreth orës 09:00 është pranuar informata për një grabitje të ndodhur në rrugën “Zahir Pajaziti”, në Podujevë.
“Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para dyshohet se një i dyshuar nën kërcënimin e armës i ka grabitur një vlerë të parave të gatshme një personi që atë moment ishte duke shkuar për të deponuar ato”, ka thënë Borovci.
Policia ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes me ç’ rast ka gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë, përderisa kanë filluar hetimet për identifikimin e të dyshuarit dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.