Autoriteti Kosovar i Konkurrencës sot zyrtarisht ka filluar procedurën hetimore ndaj ndërmarrjeve KEDS dhe KESCO, të cilat operojnë në tregun e energjisë elektrike.
Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi tha se pas shqyrtimit paraprak kanë vërejtur që këto ndërmarrje kanë shkelur nenet 4 dhe 11 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës duke bërë veprime të ndaluara.
“Gjatë shqyrtimit AKK ka vërejtur se këto dy ndërmarrje kanë bërë marrëveshje të ndaluar apo praktikë të bashkërenduar duke krijuar pengesa për hyrjen në treg nga investitorët në atë mënyrë që kanë shfrytëzuar dhe shfrytëzojnë objektin e njëjtë, ekspertë të njëjtë, mbajnë kontabilitet të përbashkët nga e njëjta zyre dhe duke bërë shkëmbimin e informacioneve”, tha Prestreshi.
Prestreshi tha që ndërmarrjet kanë bërë marrëveshje të ndaluar që kufizon prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimit, zbatojnë kushte të ndryshme për transaksione të njëjta me ndërmarrje të tjera tregtare duke i vendosur në gjendje të pafavorshme konkurruese.
“Kushtëzojnë lidhjen e kontratatve në pranim nga palët tjera kontrataktuese të detyrimeve shtesë që nga natyra nuk kanë lidhje me këto kontrata”, tha ai.
Sipas Prestreshit ata bëjnë investim në trafo-stacione. Ato investime dhe prona ku gjenden trafo-stacionet të barten në pronësi të KEDS-it, duke vendosur kufizime në pajisje apo produkte të nxjerrjes jashtë tregu relevant të konkurrentëve të veçantë ose të një produkti të tyre.
“KEDS ka penguar hyrjen në treg burimet e ripërtrishme të energjisë. Duke kërkuar nga investitori që pajisjet të jenë të një marke të pranueshme nga KEDS-i. Ka vendosur çmim joreal të blerjes ose shitjes”, tha ai.
Prestreshi tha se AKK ka kërkuar një mori dokumentesh për këtë rast në afat prej 30 ditësh.
Sipas nenit 4 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës ndalohen të gjitha marrëveshjet, të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg.
Fillimi i procedurës hetimore është bërë me vendim të Autoritetit, ndërsa kjo i mundëson disa instrumente shtesë për zhvillim të hetimeve dhe grumbullim të të dhënave.
KALLXO.com kishte mësuar se këto hetime nisin meqë ka përfunduar faza e shqyrtimit paraprak të kësaj lënde.
KEDS-i është operatori i vetëm i shpërndarjes së energjisë elektrike.
Ky operator është përgjegjës për operimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të shpërndarjes dhe menaxhimin e gjeneratorëve të kyçur në sistemin e shpërndarjes.
Kurse, KESCO është furnizues që ka licencë për furnizim me energji elektrike. KESCO aktualisht ka edhe obligimin për të furnizuar konsumatorët me të drejtën e shërbimit universal dhe obligimin e furnizuesit të mundësisë së fundit.
Të dy ndërmarrjet janë privatizuar në vitin 2013 nga konzorciumi “Calik & Limak” për 26.3 milionë euro.