Në shumë komuna të Kosovës i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së kreut të SBASHK-ut, Rrahman Jashari, që kjo e hënë të jetë ditë pushimi.
Indeksonline ka kontaktuar numrin një të Sindikatës së Arsimit, i cili ka konfirmuar se në shumë qytete të Kosovës është duke u respektuar thirrja e tij, që sot të jetë ditë pushimi.
Për Indeksonlinen, Jashari ka thënë se ka marrë raportin në shumë komuna dhe që shumica i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së tij.
“Për momentin kemi raportet nga disa komuna. Ajo që dimë deri më tani është se vendimi i SBASHK-ut është duke u respektuar. Raportet tregojnë se në Suharekë, Hanin e Elezit, Rahovec, Kamenicë, Gjilan, Kaçanik e Novëbërdë dhe Dragash pjesërisht po respektohet vendimi që sot të jetë ditë pushimi. Në Prishtinë janë hapur dyert e shkollave por vërehet prani e vogël e numrit të nxënësve dhe mësimdhënësve. Jemi në pritje të raporteve nga të gjitha komunat dhe shkollat e Kosovës dhe shpejt do dalim me informacion”, ka thënë Jashari
Qeveria e Kosovës tha të premten se të hënën do të punohet dhe nuk do të pushohet për shkak të festës së 28 Nëntorit. Këtë thirrje e ka kundërshtuar SBASHK-u që nga fillimi pasi që sipas tij në kalendarin e MASHT-it sot është ditë pushimi.