Ministri e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur konkursin për çmimin vjetor “Anton Çetta”. Ky çmimi është themeluar nga MKRS, me rastin e shpalljes së muajit nëntor, “Muaji i Anton Çettës”.
Ky çmim ndahet për fushën e trashëgimisë kulturore shpirtërore.
Sipas njoftimit të MKRS, ky çmim u jepet personaliteteve të shquara dhe profesionistëve të dalluara të cilët me angazhimin e tyre kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në avancimin e trashëgimisë kulturore- shpirtërore si dhe kanë nxitur të arriturat në mbledhjen, dokumentimin, ruajtjen dhe promovimin e folklorit.
“Laureatë të këtij çmimi mund të jenë profesionistët, studiuesit dhe hulumtuesit në fushën e trashëgimisë kulturore shpirtërore, shtetas të Republikës së Kosovës dhe shtetas të vendeve të tjera”, thuhet në njoftim.
Sipas MKRS-së, vlerësimin për dhënien e çmimit e bën juria profesionale.
“Konkurrimi për Çmimin “Anton Çetta” mund të bëhet përmes propozimit nga: Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës; Institutet shkencore, arkivat, muzetë; Institucionet e trashëgimisë kulturore; Fakultetet e universiteteve publike si dhe private të Republikës së Kosovës; Shoqatat dhe organizata që merren me trashëgimisë kulturore; Personat fizikë dhe juridikë”, thuhet në njoftimin për konkursin për çmimin “Anton Çetta”.
Propozimet për këtë çmim duhet të dërgohen në MKRS-së deri me 24 dhjetor 2020.