Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka shfuqizuar mbrëmë katër dekrete për katër konsuj të përgjithshëm, saktësisht për ata në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.
Në mesin e të shkarkuarve nga Osmani, është edhe Bledi Kilaj, i cili ishte emëruar konsull i përgjithshëm në Lubjanë, edhe ky njëri nga fëmijët e ish-zëvëndësministrit të Diasporës dhe njëherit ish-kryetarit të Malishevës nga radhët e PDK-së, Isni Kilaj.
Kilaj ka komentuar vendimin e fundit të Osmanit, për të cilën thotë se po bën politikë dhe se u.d e presidentit nuk përfaqëson popullin e Kosovës.
“U.D-ja po banë politikë! Ajo anuloi 4 Dekrete të 4 familjeve patriotike që kanë dhënë shumë për lirinë e Kosovës/ shiqo Halim Krasniqi vëllai i Xheva Krasniqit-Lladroci/. Janë edhe intelektual e profesional të gjithë të larguarit. Edhe ashtu djali im nuk ka qenë asnjë ditë në punë sipas atij dekreti. Ai Dekret ka kohë që ka dështuar. UD-ja Presidente nuk na përfaqëson të gjithë popullin e Kosovës”, ka thënë Kilaj në një përgjigje për Indeksonline.
Emërimi i Flakron Shalës si Konsull i Përgjithshëm në Pragë, ka nxitur reagime të shumta.
Kjo për shkak se ai është djali i deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Haxhi Shala.
Derisa, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, dje gjatë ditës, në një postimi në rrjetin social Facebook, tha që për këtë emërim është njoftuar nga mediat dhe është bërë pa koordinim me të, u.d e Presidentit, Vjosa Osmani mbrëmë mori veprime konkrete.
Reagim pas shkarkimit të djalit të tij, pati edhe deputeti i AAK-së, Haxhi Shala. Por, këtë e bëri në mënyrë indirekte.
Në orët e para mëngjesit të sotëm, me rastin e ditëlindjes së djalit të tij, ish-konsullit të shkarkuar, ende pa marrë mirë detyrën, Shala, pati një urim për të, por edhe disa fjalë për Vjosa Osmanin.