Të dielën që lamë pas, një i ri nga Malisheva u raportua si i zhdukur.
Familjarët e 28 vjeçarit nga fshati Rud iu drejtuan Policisë së Kosovës për të kërkuar ndihmë për gjetjen e djalit të tyre.
Për zhdukjen e Jetmir Rudit, raportuan edhe mediat, por që për fat të mirë, i njëjti u gjet po nga familjarët, madje jo larg shtëpisë.
Por, zhdukja e tij, solli edhe mjaftë dyshime, pasi që pak para gjetjes së tij, në rrjete sociale qarkulluan disa imazhe, ku shihej i njëjti i lidhur dhe gjysmë i zhveshur në një vend malor. Madje u përfol se rrëmbimi ishte i inskenuar nga vet ai.
28 vjeçari sipas policisë, në momentin që ishte gjetur, kishte qenë në gjendje të mirë shëndetësore, vetëm me shqetësime, derisa u dërgua për trajtim edhe në QKUK.
Në lidhje me këtë ngjarje, rasti ka shkuar në duar të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, por që kryeprokurori i këtij institucioni, Ali Uka, nuk pranoi të flas. Madje i njëjti tha se s’do të prononcohet për gazetarë.
“Për gazetarë nuk jam ka du me kontaktu, po i deformoni informatat. D.m.th unë informata nuk ju jepi kurgjë hiq. Rasti është në hetim”, kjo ishte përgjigja e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
Se rasti është duke e hetuar, e ka konfirmuar edhe Nysret Gjurkaj, Zëdhënës i Policisë së Gjakovës.
IndeksOnline ka dërguar pyetje edhe në adresë të zyrës për informim në Gjykatën Themelore në Gjakovë, por sërish pa përgjigje.