Zyrës së kryeministrit nuk duket t’i kenë bërë edhe aq përshtypje botimet e Kosovës në konkursin e hapur për furnizim me libra për bibliotekat e shkollave fillore dhe të mesme në vend.
Në tenderin e përgatitur nga koordinatori nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, shumica e botimeve që do të blihen rezultojnë të jenë nga Shqipëria, shkruan sot “Koha Ditore”. Një gjë e tillë është përcaktuar nëpërmjet titujve të përzgjedhur që do të paguhen nga Qeveria. Sipas kontratës së dorëzuar në KRPP, me datën 23 të muajit të kaluar, vlera e parashikuar e projektit është 300 mijë euro.
Me gjithsej 9.022 pako librash, tenderi synon blerjen e 106 titujve të ndryshëm për bibliotekat e shkollave fillore, atyre të mesme të ulëta dhe të mesme të larta. Nga “isbn”, që shoqëron secilin titull, del se nga 66.897 libra, vetëm 6.427 sish janë nga Kosova.
Nga burimet e saj, “Koha Ditore” ka mësuar se shtëpia botuese “Dukagjini” është i vetmi operator që deri të hënën, njësitë para mbylljes së konkursit, ka paraqitur tenderin e detajuar për këtë kontratë.
Me rreth 10 për qind libra të përzgjedhur nga Kosova, botuesit në vend janë ankuar se ky tender është diskriminues për ta. Sipas tyre, për titujt e botuar edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri janë kërkuar vetëm ato nga Shqipëria.
Gazeta ka kontaktuar Rexhep Hotin, koordinator nacional për Rini, Kulturë dhe Sport, por ai ka refuzuar të komentojë ankesat e botuesve të Kosovës. “Nuk dua ta komentoj fare këtë çështje”, ka thënë prerë ai.