Një tender për pastrimin e shtratit të lumit “Hogosht”, i iniciuar nga Qeveria Haradinaj, është anuluar nga Qeveria Hoti.
Kjo procedurë e prokurimit publik, e nisur nga ish-Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – asokohe e udhëhequr nga Fatmir Matoshi i AKR-së – është anuluar nga Ministria e Ekonomisë.
Ministria e udhëhequr nga Blerim Kuçi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në kuadër të së cilës është shkrirë MMPH-ja, ka anuluar tenderin për të cilin nga qeveria e kaluar ishin ndarë 700 mijë euro.
Sipas njoftimit të Zyrës së Prokurimit të Ministrisë së Ekonomisë, të publikuar të premten në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, tenderi është anuluar për shkak të largimit të këtij projekti si kod nga buxheti i shtetit.
“Ne kemi kontaktuar Ministrinë e Financave për këtë projekt, por nuk janë siguruar mjetet për vazhdimin e ri-vlerësimit edhe përkundër faktit se ne si zyrë e prokurimit përmes Zyrës së Financave të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit kemi kontaktuar deri në ditën e sotme, mirëpo ka qenë e pamundur të sigurohen mjetet”, thuhet në vendimin e Zyrës së Prokurimit të Ministrisë së Ekonomisë.
“Përkundrazi, është larguar si kod i projektit nga Ligji i Buxhetit të Kosovës, me rishikim të Ligjit të Buxhetit. Andaj jemi detyruar ta bëjmë anulimin e këtij aktiviteti”, thuhet në vendim.
Tenderi, i cili ishte iniciuar më 28 mars të vitit të kaluar, parashihte rregullimin dhe pastrimin e lumit “Hogosht”, i cili buron në fshatin Hogosht të Dardanës.
Procedura tenderuese është përcjell vazhdimisht me ankesa dhe kërkesa për rishqyrtim nga operatorët ekonomikë.