Famullitari i Kishës Katolike në Kosovë, Don Mikel Sopi, thotë në asnjë mënyrë s’duhet justifikuar dhuna në shoqëri, por thotë se edhe liria duhet të jetë në atë masë sa nuk ofendohet ndonjë komunitet.
Këto deklarata ai i bëri duke komentuar sulmin e kësaj së enjte në Nice të Francës ku mbetën të vdekur tre persona. Ky sulm u cilësua si terrorist, njofton Klan Kosova.
“Është një e keqe e shumëfishtë duke pasë parasysh se viktima janë njerëzit e pafajshëm dhe është një rast i rëndë që po ndodhë në një shoqëri që ka qenë pioniere e të drejtave të njeriut dhe ka kontribuar në këtë drejtim. Kuptohet që një akt i tillë s’mund të justifikohet, por nga ana tjetër liria nuk do të thotë se mund të bësh çka të duash. Arti dhe kultura s’kanë edhe kufij, por duhet të shohim situatën reale dhe nëse për dikë është fyese duhet të jemi të kujdesshëm”.
Sopi tha se provokime po bëhen ndaj shumë komuniteteve, përfshirë edhe atë katolik – madje edhe nga Hollywood-i.
“Provokimet e tilla nuk është vetëm kjo karikaturë, por këto po ndodhin kudo në botë. Pikërisht në këtë kohë të pandemisë, tash në Hollywood është xhiruar një film me material blasfemues ku personi kryesor është vajza e Michael Jackson, Paris dhe ku është me përmbajtje mjaft fyese kundër Jezu Krishtit. Për këtë të krishterët kanë bërë peticion. Duhet të ketë një minimum të kulturës të mos i fyejnë ndjenjat e njerëzve”.
“Aq më e rëndë është se kjo dhunë është bërë në emër të Zotit dhe kuptohet se edhe besimet, së paku monoteiste, na bëjnë thirrje që ta konsiderojmë njëri-tjetrin si vëllezër. Edhe Bashkësia Islame është distancuar, por edhe islami zyrtar po bën përpjekje që të ndalet dhuna. Ne bashkërisht duhet të përpiqemi si institucione për të mbajtur unitetin”.
Famullitari tha se edhe bashkësitë fetare edhe institucionet duhet të bëhen bashkë dhe të bëjnë thirrje ndaj njerëzve të qëndrojnë bashkë kundër dhunës. Ai këtu përmendi edhe presidentët Emmanuel Macron dhe Recep Tayyip Erdogan, të cilët patën përplasje të ashpra, pikërisht për karikaturat e Profetit Muhamed të rishfaqura në Francë.
“Duhet të jetë një apel për popullatën tonë që të vazhdojmë të ruajmë unitetin dhe të mos bëhemi pjesë e ndasive. Pra, të jemi bashkë kundër të keqes. Unë uroj që këta dy burra (Macroni dhe Erdogani) të besojnë në Zot. Si njëri, si tjetri. Mendoj që politizimi i çështjeve fetare nuk është i mirë dhe nuk mund të sjellë mirë dhe nuk mendoj që mund të bëjë një zgjedhje të drejtë për secilin komunitet”.