Derisa numri i rasteve të reja me koronavirus në Kosovë po rritet, nga Klinika Infektive e QKUK-së thonë se janë të përgatitur për të pritur valën e dytë të pacientëve të infektuar që duhet të hospitalizohen.
Në këtë klinikë janë të shtrirë 92 pacientë, prej të cilëve gjysma janë me oksigjenoterapi, ndërsa dy persona në respiratorë, ka bërë të ditur infektologia, Vera Berisha-Ndrejaj.
“Me rritjen e numrit të rasteve do të kemi numër të shtuar të hospitalizuarve. Deri më tani Klinika është afër të përmbushë të gjitha kapacitetet, por sigurisht do të kemi edhe alternative të tjera”, deklaroi Berisha-Ndrejaj.
Berisha-Ndrejaj tha se Klinika Infektive është e destinuar të trajtojë rastet që janë më të rënda.
“Problem pak më të madh kemi pasur me QMF-të që kanë referuar pacientë te ne kohë pas kohe. Disa raste kanë mundur t’i menaxhojnë ata”, deklaroi Berisha Ndrejaj në Tv Dukagjin.
Më tutje infektologia tha se stafi i klinikës është në gatishmëri për të pritur rastet e reja që pritet të hospitalizohen si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarve.