Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas vendimit të gjykatës për uljen e dënimit për Pjetër Ndrecaj.
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhës e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, duke komentuar vendimin e gjykatës ndaj Pjetër Ndrecaj, i cili kishte vrarë bashkëshorten Valbona Markut dhe vajzën e vet 9-vjeçare, ka thënë se vendimi për të ulur dënimin për autorin e këtij krimi të dyfishtë është mesazh i dëmshëm dhe i gabuar për të gjithë ata që ushtrojnë dhunë mbi gratë dhe veç sa rritë pasigurinë e grave dhe vajzave viktima të dhunës.
Nagavci ka shkruar në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook se vrasja e Valbona Markut dhe vajzës së saj 9-vjeçare nga bashkëshorti i saj, Pjetër Ndrecaj, kishte tronditur me të drejtë të gjithë.
“Autoritetet përgjegjëse shtetërore kishin dështuar të mbrojnë jetën e Valbonës dhe vajzës 9 vjeçare.
Por, sot, vendimi për të ulur dënimin për autorin e këtij krimi të dyfishtë është mesazh i dëmshëm dhe i gabuar për të gjithë ata që ushtrojnë dhunë mbi gratë dhe veç sa rritë pasigurinë e grave dhe vajzave viktima të dhunës. Shteti dhe institucionet e tij kanë përgjegjësi mbrojtjen e jetës.
Dhuna në familje ka ardhur duke u rritur, andaj sjellja e tillë e sistemit të drejtësisë jo që nuk i kontribuon parandalimit, por përkundrazi rëndon edhe më shumë gjendjen e rëndë të vajzave dhe grave në Kosovë”, ka shkruar ajo.