Kryeminstri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se delegacioni i Kosovës në Washington do të zhvillojë takime në Shtëpinë e Bardhë me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, me zyrtarë të MCC-së, të DFC-së, me përfaqësues të komunitetit shqiptar në SHBA e me rrjetin e bizneseve të mërgatës në SHBA.
“Në Shtëpinë e Bardhë janë marrë gjithmonë vendime strategjike që kanë quar në liri, pavarësi dhe integrim euro-atlantik të shtetit të Kosovës. Nuk do të jetë ndryshe edhe këtë here” ka shkruar Hoti në Facebook.
Tutje ai ka thënë se Qeveria e Kosovës do të prezantojë projekte të mëdha infrastrukturore dhe energjetike që kontribuojnë në zhvillimin dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë dhe në integrimin më të mirë të Kosovës në tregun regjional dhe evropian.
Përveç Avdullah Hotit, në Washington do të jenë edhe dy zëvendëskryeministrat Driton Selmanaj e Albulena Balaj Halimaj, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi si dhe ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi.
Koordinatori për dialog, Skender Hyseni po ashtu do të jetë prezent si dhe shefja e kabinetit të kryeministrit Ardita Dushi.