Infektologu Ilir Tolaj, po thotë se bartja e maskës në ambient të hapur është e panevojshme. Tolaj thotë se vendet që i kanë shterur idetë dhe mundësitë që me masa të tjera të ndikojnë në ecurinë e pandemisë, po kthehen sërish te maska, si masë mbrojtëse nga infeksioni
Tolaj thotë se edhe në Kosovë po veprohet njëjtë.
Megjithatë, Tolaj po e konsideron të panevojshme bartjen e maskës në ambiente të hapura.
Tolaj konsideron se nuk ka asnjë arsye as logjike e as shkencore të detyrohen njerëzit të cilët ecin rrugës të bartin maska, derisa kur janë të ulur në kafiteritë pranë rrugës, të qëndrojnë pa maska.
Lexoni të plotë qëndrimin e doktorit Ilir Tolaj:
Maskat në ambient të hapur – të panevojshme
Maskat janë bërë shenjë njohëse dhe temë diskutimi kudo në botë në ditët e sotme. Vendet të cilat i kanë shterur idetë dhe mundësitë që me masa e mënyra tjera të ndikojnë në ecurinë e pandemisë Covid 19, kthehen sërish tek maska, si masë mbrojtëse nga infeksioni. Edhe autoritetet në Kosovë po e bëjnë të njejtën. Por në këtë përpjekje për të pasur rezultate të shpejta, që Kosova mos të konsiderohet delja e zezë e Europës, masat e rekomanduara janë kundërthënëse e edhe të panevojshme.
Masa e bartjes së detyruar të maskës në ambient të hapur, është njëra prejt tyre. Nuk ka asnjë arsyeshmëri as shkencore e as logjike, ti detyrosh njerëzit që janë duke ecur rrugës që ta bartin maskën, ndërsa ata që janë ulur në terasën e kafiterive përskaj rrugës të jenë krejtësisht pa maskë. Madje edhe nëse teoretikisht kjo masë në këtë mënyrë mund të parandalojë të infektuarit e ndonjë personi, në jetën reale kjo gjë është e papërfillshme. Sepse, numri më i madh i infeksioneve me Covid 19 po ndodh brenda familjeve, apo pas kontakteve intensive dhe kohëgjata me të infektuarit jashtë familjeve. E rruga nuk paraqet një situate të tillë.
Maska duhet të bartet aty ku ka dendësi popullate, ku distanca sociale nuk është e mundur të mbahet. Dhe kjo nuk është situata me ambientin e hapur, rrugët e qytetit; ashtu siç nuk është rasti as me të ulurit në tavolinat e kafiterive dhe restoranteve të vendosura në ambientin e hapur, ku edhe ashtu askush nuk po bart maskë.
Masa e bartjes së detyruar të maskës duhet të kërkohet për ambientet e mbyllura, çfarëdo qofshin ato, dhe kryesisht nëse qëndrimi në këto hapësira të mbyllura është më i gjatë se 15 minuta. Në të kundërtën, masa e humb kuptimin dhe prodhon efekt të refuzimit të po kësaj mase e edhe të masave të tjera. Masat duhet të jenë të balancuara dhe të arsyeshme, e jo aso që e vështirësojnë pa nevojë jetën më shumë se vet pandemia