Të fitosh kampionatin pas shumë javësh përpjekje dhe të eliminohesh nga Evropa me një humbje në tavolinë! Një shije e hidhur, shumë madje, që do t’i lihet Dritës e cila do të provojë për herë të parë rregullat e reja të UEFA-s.
Dalja pozitiv me Coronavirus nga ana e futbollistëve të saj ka bërë që të shtyhet ndeshja e sotme kundër Linfield.
Kjo përballje ishte finale për paraeliminatoret e Ligës së Kampionëve dhe fituesi do të kishte mundësinë që të shkonte në turin e parë të këtij kompeticioni.
Por sipas të gjitha gjasave, Linfield do të jetë njëkohësisht ekipi i parë që do të provojë kualifikimin pa nisur loja.
Kjo pasi UEFA e cilëson si një dështim organizimin e kampiones së Kosovës, që i rrezikon të gjithë teksa ka futbollistë që rezultojnë pozitiv dhe nuk janë respektuar masat kufizuese.
Artikuj nga të gjitha mediat prestigjoze janë shkruar për këtë takim, mes tyre edhe nga “The Guardian”, të cilat janë të bindura se UEFA do të fus në fuqi rregullat e reja për herë të parë në mënyrë që të jetë edhe një shembull i qartë për të tjerët.
Tashmë çështja ka kaluar në Komisionin e Etikës dhe pritet vetëm zyrtarizimi i përjashtimit të Dritës dhe humbja në tavolinë 3-0.