Infektologu Valbonë Krasniqi në konferencën e mbajtur sot ku u publikua për raportin ditor për COVID-19, ka treguar për gjendjen e pacientëve të infektuar me COVID-19, të cilët po trajtohen në QKUK dhe spitalet rajonale, e që sipas tij gjendja e tyre shëndetësore është jashtëzakonisht e rënduar.
Sipas tij gjithsej 623 pacientë janë të spitalizuar, prej tyre 270 në QKUK dhe 353 në spitalet regjionale.
“Sa i përket aspektit klinik të pacientëve që sot janë të shtrirë nëpër klinikat e QKUK-së dhe spitalet rajonale në total kemi, 623 pacientë të spitalizuar nga ta 270 janë në klinikat e QKUK-së dhe 353 nëpër spitalet regjionale. Gjendja e tyre shëndetësore është jashtëzakonisht e rënduar, kemi 409 pacientë në total që janë në oksigjenoterapi dhe 45 të tjerë që i kemi në respiratorë, nga këta 45, 12 i kemi të intubuar, ndërkohë 33 pacientë të tjerë në model tjetër të frymëmarrjes së asistuar në ventilator”, tha Krasniqi.
Ai po ashtu ka folur edhe për heqjen e laurave në hyrje të QKUK-së, duke adresuar një lutje ndaj qytetarëve që shfrytëzimi i hapësirave në QKUK të bëhet vetëm në rast nevoje.
Siç ka kërkuar që të reduktohen lëvizjet e shpeshta, në mënyrë që mos të shkaktohet tollovi në hapësirat e QKUK-së. “Ju tashmë jeni të informuar se ne nga dje kemi hapur laurat e QKUK-së për të gjithë familjarët, pacientët dhe të afërmit e atyre që kanë të shtrirë pacientët nëpër klinikat e QKUK-së tani do të hyjnë pa pagesë, por tani ju kisha bërë thirrje qytetarëve që t’i shfrytëzojnë hapësirat e QKUK-së vetëm atëherë kur kanë nevojë, t’i reduktojnë në masë të madhe lëvizjet që të mos shkaktojnë më pas tollovi nëpër hapësirat e QKUK-së”, tha Krasniqi