Ministria e Shëndetësisë ka lëshuar urdhëresë që spitalet regjionale të mos i publikojnë të dhënat për viktimat e COVID-19,
Kështu ka bërë të ditur drejtori i Spitalit Rajonal të Gjilanit, Nisret Hajrullahu.
Gazeta Sinjali sot ka kontaktuar edhe me drejtorët e disa spitaleve tjera regjionale, ku po trajtohen të prekurit me COVID-19, por asnjë nga ta nuk ka dhënë informacione nëse ka viktima në 24 orët e fundit. Të njëjtit kanë deklaruar se këto informacione mund t’i jap vetëm Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik apo Ministria e Shëndetësisë.
Kujtojmë se, Kosova ka shënuar rekord të viktimave dhe rasteve ditore me koronavirusin e ri ditëve të fundit. Që nga 13 marsi kur janë shfaqur rastet e para, gjithsej 8.554 persona janë infektuar me këtë virus, prej tyre 4.730 janë shëruar, ndërsa kanë vdekur 236 pacientë.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dje gjatë një konference për media ka paralajmëruar ashpërsim të masave për shkak të situatës së rëndë me pandeminë, ndërsa ka fajësuar sektorin e gastronomisë, për të cilin është shprehur se ditëve të fundit nuk ka respektuar asnjë nga rekomandimet e institucioneve shëndetësore, kundër përhapjes së këtij virusi./