Adil Behramaj, këshilltari i presidentit Thaçi, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, se dialogu me Serbinë do të jetë në interes të qytetarëve të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Behramaj tha se Hoti duhet të ketë pak burrëri dhe mençuri.
“Avdullah Hoti i paska thur lavde qasjes së tij në dialog me Serbinë, duke thënë se është në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës. Shumë mirë. Edhe ne të njëjtën gjë duam. Por, pak burrëri dhe mençuri duhet të kesh. Të ulesh me nxitim dhe kokë në vete përballë Vuçiqit dhe Lajçakut në tavolinën e dialogut, në momentin që presidenti i shtetit që ti e përfaqëson merret në pyetje atje nga Gjykata Speciale, nuk është as etike dhe as e mençur”, ka shkruar Behramaj.
Ai tha se edhe në versionin e dukshëm kjo qasje është në interesin më të keq të Kosovës.
“Mirë mund t’u duket vetëm burokratëve të BE-së, që janë të zënë duke e lexuar atë librin me “Kosovo and Metohija”. Aq i plogësht sa u shfaqe në Bruksel, herën tjetër nuk është çudi nëse ta lexojnë edhe ty, meqë “razumesh” mirë!”, ka shkruar Behramaj.
Ndërsa, Hoti tha se “kjo do të jetë një marrëveshje që Kosovës i jep atë që i takon, të qenurit e barabartë dhe e integruar në familjen e madhe euroatlantike. Për këtë ka nevojë populli i Kosovës”