Dhunë, arrestime me forcë e bërtima ka pasur sot rreth orës 11:00 në një lokal në qendër të Prizrenit.
Një sinjalizues ka treguar se policë të njësisë speciale e kanë arrestuar me forcë pronarin e lokalit dhe djemtë e tij, ndërsa gjatë arrestimit është përdorur edhe dhunë.
Kjo shihet edhe në pamjet që i ka siguruar Gazeta Sinjali ku shfaqen disa policë që me forcë e arrestojnë pronarin e lokalit dhe djemtë e tij. Gjatë arrestimit, përveç forcës e dhunës, është përdorur edhe sprej.
Sipas sinjalizuesit, gjithçka ka nisur pasi pronari i lokalit u ndalua për shkak të mosbartjes së maskës, me policët që sipas tij u treguan të ashpër me të.
Nga Policia e Prizrenit, ndonëse e kanë konfirmuar se ngjarja ka nisur për shkak të mosrespektimit të masave kundër koronavirusit, këtë rast e kanë cilësuar si sulm ndaj zyrtarëve policorë.
Familjarët e të arrestuarve i kanë thënë Sinjalit se pronari dhe njëri nga djemtë e tij kanë marrë tretman mjekësor si pasojë e dhunës së përdorur nga policët, por krejtësisht ndryshe e ka përshkruar ngjarjen zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Shaban Osmanollaj.
Sipas tij, aty ka pasur sulm ndaj zyrtarëve policorë dhe janë dy policë që kanë mbetur të lënduar nga kjo ngjarje. Ai thotë se fillimisht nuk është respektuar urdhri i personit zyrtar. Për këtë rast, në stacionin policor të Prizrenit aktualisht po intervistohen 5 persona.
“Ka ndodhë rreth orës 11:00 në rrugën “Marin Barleti” në Prizren, sheshi “Shatërvan”. Për shkak të mosrespektimit të vendimit të qeverisë për masat anti-COVID. Fillimisht nuk është respektu urdhri i personit zyrtar, pastaj për shkak të mosrespektimit të masave dhe urdhrit ka ardhë deri te sulmi ndaj personit zyrtar. Kështu që Policia i ka aktualisht 5 persona të dyshuar duke i intervistuar për këtë rast. Sulm ndaj personit zyrtar kemi. Janë dy zyrtarë policorë kanë pësu lëndime, të cilët i kanë dërguar për tretman mjekësor. Janë sulmuar nga të dyshuarit. Rasti ka qenë për shkak të mosrespektimit të vendimit të qeverisë për mbajtjen e maskës, distancën sociale e këto”, ka thënë Osmanollaj për Gazetën Sinjali.
Në video dikush dëgjohet teksa vazhdimisht u kërkon policëve që të qëndrojnë larg 2 metra. Gjithashtu, përveç tjerash, aty shihet edhe një polic që kërkon që të mos incizohet. /