***
Situata kritike e krijuar nga COVID-19 përpos që ka lënë pezull ceremonitë e dasmave deri në një kohë të pacaktuar, qytetarët po kërkojnë t’u kthehen paratë të cilat i dhanë për rezervimin e sallave të dasmave për këtë sezonë verore.
Një mërgimtar ka raportuar në se vajza e tij kishte rezervuar një sallë të dasmave vitin e kaluar e për të cilën thotë se kishte paguar avans 30 përqind të shumës. Por, meqë dasma e cila pritej të mbahej në fillim të këtij muaji nuk u mbajtë për shkak të pandemisë, ai tregon se paratë i kanë kërkuar por që nuk u kthyen nga pronarët e sallës së dasmës me arsyetimin se i kanë shpenzuar në investime të sallës.
“Vajza ime ka rezervuar që në vitin e kaluar një hotel në Kosove për dasmë duke paguar paraprakisht 30% të totalit si depozite për muajin korrik të 2020. Për shkak të situatës së tanishme dasma nuk ishte e mundur të mbahet, ndërsa paratë nuk kthehen me arsyetimin se ato para janë harxhuar moti në investime të hotelit”, ka deklaruar ai.
“Unë i shkrujta pronarit dhe menaxherit të hotelit një letër përmes emailit me 4 korrik, por nuk mora përgjigje, me 12 korrik e njoftova se do të vazhdoj me hapat e radhës dhe prapë nuk mora përgjigje”, shtoi ai. Lidhur më këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar me Odën e Hotelerisë dhe Turizimit.
Drejtori i OHTK-së, Visar Demolli e ka arsyetuar veprimin e disa bizneseve të hotelerisë që nuk i kanë kthyer paratë “për shkak të investimeve që kanë ndërmarrë në rregullimin e kushteve për klientët”. Ai thotë se kjo është shkaku i mos kompensimit nga Qeveria.Demolli për KALLXO.com ka paralajmëruar se do të kërkojnë kompensim nga Qeveria e Kosovës në mënyrë që të gjendet një mirëkuptim mes menaxhmentit dhe klientit.
“Po e kemi diskutuar, duke pas parasysh që s’ka kompensime nga ana e shtetit kemi kërku që të gjendet një mirëkuptim mes menaxhmentit (pronarit të hotelit) dhe klientit apo dasmagjiut. Janë disa arsye që se kanë bërë kthimin e avansit, shkaku që janë bërë investime me ato avanse të marra në përmisimin e kushteve ndaj klientëve, andaj ne kemi kërku që të kenë mirëkuptim për një datë tjetër dhe të përdoret ai avans-koparë me të njëjtën vlerë”, ka deklaruar ai.
“Kërkesat janë bërë vetëm gjatë takimeve që kemi pas. Ndërsa tani jemi duke përgatit një draft projekt ku do t`i marrim të dhënat e viteve të kaluara qarkullimin dhe në bazë të dëshmive do ta bëjmë kërkesën po ashtu dhe ankesën”, shtoi Demolli. Kurse, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi për KALLXO.com ka deklaruar se në parim të gjitha bizneset janë të obliguara t’i kthejnë mjetet por me marrëveshje që shërbimi të kryhet për një periudhë tjetër.
“Shoqata e hotelierëve nuk është pjesë e Odës Ekonomike, por në parim të gjitha bizneset janë të obliguara t’i kthejnë mjetet ose në para të gatshme ose si voucher që mund të përdoret në një periudhë tjetër për shërbimin e njëjtë. Kjo mund të bëhet me marrëveshje të veçanta. Deri tani nuk kemi ankesa të tilla në Odën Ekonomike të Kosovës”, ka thënë Rukiqi.
Sipas vendimit të Qeverisë të miratuar me 1 korrik, nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 50 personave në hapësira të brendshme. Në po të njëjtën ditë, dhjetëra pronarë të restoranteve dhe sallave të dasmave në Kosovë të mbështetur nga këngëtarë dhe muzikantë kanë protestuar për shkak që Qeveria e Kosovës ende nuk po lejon të zhvillohen dasmat dhe ahengjet. Sipas tyre, po krijohen standarde të dyfishta “pasi që kafeteritë po lejohen të punojnë”.