Sot është 1 Maji apo Dita Ndërkombëtare e Punës. Kjo ditë e punëtorëve lindi nga lufta e tyre për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.
Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.
1 Maji edhe te ne në Kosovë ka një traditë. Edhe pse pushohet në shumicën e institucioneve, ndër të tjera një pjesë e madhe edhe festojnë këtë ditë.
Për sot, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) do të organizojë protesta kundër vdekjeve në vendin e punës, pagave të ulëta të punëtorëve, si dhe skemave pensionale.
Konkurse të manipuluara, procedura gjyqësore të pa përfunduara që lidhen me punën, punë 24 orëshe pa ndërprerë, mos pagesë të kontributeve penisonale nga punëdhënësi, mos pagesë të pagave deri në 8 muaj, privim nga pushimi vjetor dhe ai mjekësor, mospagesë për punën jashtë orarit të rregullt etj., janë disa nga shumë padrejtësi dhe shkelje me të cilat përballen punëtorët në Kosovë.
Mungesa e zbatueshmërisë së ligjit të punës dhe mbrojtjes e sigurisë në punë si dhe mos respektimi i të drejtave të punëtorëve nga biznesi por edhe institucionet ka bërë që shkeljet të shpeshtohen madje në disa raste punëtorëve vendi i punës ju ka kushtuar edhe me jetë.
Përderisa në sektorin privat ka shkelje në secilën dispozitë të Ligjit të punës siç është mungesa e kontratës, vonesat në paga, problemet me pushime etj., në sektorin publik shkeljet më të mëdha bëhen në fazën e konkurseve.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini, ka ftuar të gjithë punëtorët që sot të dalin në protestë nga ora 11:00 në sheshin ‘Nënë Tereza’ e deri të Teatri Kombëtar.