Bordi i SHSKUK-së e ka shkarkuar të hënën drejtorin e përgjithshëm, Basri Sejdiu. Arsyet që i ka dhënë bordi për shkarkimin e tij lidhen me raportin e auditorit të brendshëm, që ka identifikuar shkelje të shumta si gjetjet e bordit, keqmenaxhim e performansë të dobët.
Sejdiu në Edicionin Special në Klan Kosova, ka thënë që si arsye për shkarkimin e tij ka qenë se sipas tij, është prekur xhepi i dikujt.
“Shkarkimi im do të thotë që unë jam më lehtë si person, por nëse dështon një menaxhim ose nuk je ai që mund të kontribuosh gjithmonë do të ngarkohen qytetarët, Krenari është që në këtë periudhë, kemi arritur që të bëjmë transformim komplet”.
“Është periudha më e ndritur në shëndetësinë kosovare. Kemi kursyer xhepin e qytetarëve, mijëra euro të ekonomisë familjare për qytetarët”, ka thënë Sejdiu duke shtuar se ndjehet krenar.
Sejdiu vlerëson se ai është shkarkuar nga bordi i SHSKUK-së, pasi sipas tij, është prekur interesi i dikujt.
“Janë prekur interesat që ne i kemi ndërprerë miliona euro. Qe 2 vjet, asnjë pacient nuk është referuar për t’u shëruar jashtë, kemi filluar të gjitha klinikat me pajisje të reja që t’u ofrojmë shërbimet që kanë munguar”.
Sejdiu ka thënë se meqenëse janë bërë ndryshime për të mirë në shëndetësi, nuk është dashur të ndodhë shkarkimi.
“Nëse nuk është prekur interesi i dikujt, cila mund të jetë arsyeja tjetër për këtë që ka ndodhur”, ka thënë ai.