Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka njoftuar se protesta e organizuar nga OVL e UÇK’së do të mbahet me 9 korrik.
Gucati përmes një shkrimi në Facebook tha se ky vendim erdhi pasi kështu vendosi Këshilli Drejtues dhe Kryesia e OVL e UÇK-së.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vepron në bazë të vendimeve që i merr Këshilli Drejtues dhe kryesia e saj, lidhur me protestën e paralajmëruar me 9 korrik në Prishtinë në ora 12:00, ne do të veprojmë siç është me së miri dhe me së drejti duke i dalur në mbrojtje gjithmonë ish-ushtarëve të UÇK-së, nuk do të rrezikojmë jetën e asnjë qytetari, shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha, OVL e UÇK-së i ka strukturat e saj që vendosin se si të veprojë!”, njoftoi Gucati.
Por, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, përmes një video-mesazhi u ka kërkuar Organizatës së Veteranëve të Luftës që të anulojnë protestën e paralajmëruar më 9 korrik.
“Falemnderit nga zemra bashkëluftëtarëve të mi dhe të gjithë qytetarëve për mbështetjen e pakursyer. Por, në këtë kohë të pandemisë, kemi shqetësim jetën e qytetarëve. Prandaj, me kërkesën më të sinqertë, i lus ata që ta anulojnë protestën e paralajmëruar për 9 korrik”, ka thënë Veseli.
OVL-UÇK ka thirrur protestë gjithëpopullore në Prishtinë në kundërshtim të Gjykatës Speciale.
Kjo pas ngritjes së aktakuzave nga Prokurori Special ndaj Presidentit Thaçi dhe Kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për të cilat pritet të konfirmohen apo edhe të hudhen poshtë nga gjykatësi i Dhomave të Specializuara.