Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duket se ka vendosur mos të shkojë në Paris, ku më 10 qershor, presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka paralajmëruar që të mbahet Samiti i Parisit.
Në këtë Samit ishte pritur që të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi. Por, burime të Gazetës Metro brenda koalicionit qeveritar kanë treguar se Hoti nuk do të shkojë në Paris.
Të njëjtat burime kanë konfirmuar se pas presionit amerikan, LDK-ja është duke hezituar që të vazhdojë dialogu Kosovë- Serbi deri në qartësimin e situatës, që ka krijuar publikimi i inicimit të aktakuzës kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe liderit të PDK’së, Kadri Veselit.
“Mungesa e presidentit në këtë Samit, e bënë të pakuptimtë prezencën e kryeministrat Hoti. Kosova nuk mund të ulët në një tavolinë me ata që kryejnë gjenocid në Kosovë, derisa në të njëjtën kohë Gjykata Speciale të merret me ndjekjen e luftëtareve të lirisë”, ka thënë ky burim për Gazetën Metro.
Kujtojmë se presidenti Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli siç pretendohet në aktakuzën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, akuzohen krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Por, vlen të theksohet se akuza nuk është proceduar dhe vulosur nga Gjykata Speciale.
Ndërsa, nga analistët vendorë e ndërkombëtarë është komentuar si ndërhyrje politike kundër bisedimeve në Shtëpinë Bardhë që pritej të fillonin më 27 qërshor.