Evropianët janë duke i shijuar lehtësimet graduale të masave të parandalimit për përhapjen e koronavirusit, por spitalet tashmë po përgatiten për valën e dytë të infektimeve.
Disa specialistë të përkujdesjes intensive po përpiqen të punësojnë edhe më shumë mjekë dhe teknikë të përhershëm. Të tjerët dëshirojnë një “ushtri” rezerviste të profesionalistëve mjekësorë, të gatshëm për të vepruar kur të ketë nevojë në repartet më pacientët e sëmurë rëndë, shkruan Reuters të hënën.
Shtetet evropiane kanë organizuar kurse të shpejta mjekësore për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe tani po rishikojnë mënyrat se si të ritrajnohen punonjësit, për ta shmangur mungesën e mjekëve dhe punonjësve kryesorë, nëse ndodhë vala e dytë e koronavirusit.
“Kemi nevojë për një ushtri të mjekëve” tha Maurizio Cecconi, presidenti i Shoqërisë Evropiane Për Mjekësinë e Përkujdesjes Intensive (ESICM), i cili ka bashkuar mjekë nga e tërë bota, të cilët punojnë në reparte me pacientë të sëmurë shumë rëndë.
Shumë shtete u zunë të papërgatitur për pandeminë e COVID-19 në muajin mars dhe prill dhe mjekët u trajnuan në shpejtësi për t’i trajtuar pacientët me raste shumë të rënda të kësaj sëmundjeje, e pastaj për të zëvendësuar vetë punonjësit mjekësorë të cilët u sëmurën, transmeton KOHA.
Disa vende angazhuan studentë të mjekësisë dhe mjekë të pensionuar për të ndihmuar në repartet e përkujdesjes intensive ngase spitalet u vërshuan me numër të madh të të infektuarve.
Por problemet ende vazhdojnë. Italia për shembull duhet të rrisë për 50 % kapacitetin e numrit të anesteziologëve, ekspertëve të ri-animimit dhe mjekëve tjerë që punojnë në përkujdesjen intensive, ka thënë Cecconi.
Në Evropë, spitalet kanë ritrajnuar kirurgët, kardiologët, mjekët e mjekësisë interne dhe punonjës mjekësorë nga departamente tjera, dhe i kanë vendosur në repartet e përkujdesjes intensive kur ishte nevoja. Në rrethana normale, punonjësit e përkujdesjes intensive duhet të kalojnë shumë vite trajnimi.
Komisioni Evropian financoi transferimet e mjekëve nga një shtet në tjetrin aty ku kishte më së shumti nevojë gjatë kulmit të valës së parë të koronavirusit në Evropë, por ekspertët kanë thënë se ky do të duhej të ishte opsioni i fundit.