I pari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, së bashku me nënkryetarin Nuredin Lushtaku, drejtorin e Kulturës, Abdyl Ymeri, deputetin e Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu si dhe me përfaqësues të Ministrisë se Kulturës, Rinisë e Sportit, KFOR-it, e FSK-së kanë bërë përurimin e fushës sportive në Runik të Skenderajt,
Kryetari i Skenderajt, Jashari, gjatë përurimit të këtij projekti bëri të ditur se ky projekt është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku ka falënderuar dhe bashkëpunëtorët e tjerë që kanë ndihmuar në realizimin e kësaj fushe.
“Sot është një gëzim i veçantë për ne, sepse nga sot ne kemi një shtëpi futbolli këtu në Runik, që ka munguar deri me sot. Ende ka nevojë për disa rregullime dhe përmirësime por unë në emrin e gjithë juve, sportistëve, dua t`i falënderoj së pari KFOR-in dhe FSK-në për ndihmat e tyre. Po ashtu Ministrinë e Kulturës që na ka mbështet me mjete financiare e në veçanti deputetin, Bekim Haxhiu, i cili ka bërë kërkesa të vazhdueshme deri sa është realizuar projekti. Falënderoj edhe donatorin, Tahir Citaku për ndihmën që ka dhënë”, u shpreh Jashari.
Edhe drejtori i departamentit të sportit, në kuadër të MKRS-së, Ibër Alaj, u shpreh i kënaqur me punën që është bërë në dobi të përmirësimit të kushteve infrastrukturore sportive.
“Kemi kënaqësinë e veçantë që të bëjmë përurimin e këtij stadiumi, i cili plotëson disa kushte për zhvillimin e aktiviteteve sportive, në mënyrë që të përmirësohet infrastruktura sportive dhe që të rinjtë të kenë ku t`i realizojmë këto aktivitete, andaj ne do të vazhdojmë te realizojmë investime në Skenderaj dhe së bashku me kryetarin jemi duke realizuar disa projekte që janë në dobi të qytetarëve”, tha Ibër Alaj.
Jashari po ashtu gjatë përurimit të këtij stadiumi, ndau mirënjohje për donatorët të cilët e jetësuan këtë projekt të rëndësishëm për qytetarët e kësaj zone, kurse klubi “Runiku United”, Kryetarit Jashari, Nënkryetarit Lushtaku dhe përkrahësve tjerë i ndau mirënjohje për përkrahjen e dhënë këtij klubi./Zëri