Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, pas rritjes së rasteve të reja me COVID-19, kanë bërë të ditur se kanë rekomanduar Ministrinë e Shëndetësisë të mbyllen sektorët ku ka raste pozitive dhe të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre të mbahen në vetizolim.
IKSHPK-ja ka theksuar se bartja e maskave mbetet obligative.
IKSHPK-ja ka njoftuar se në javën e fundit kashfaqje të rasteve pozitive në mesin e punëtorëve të organizatave si: Posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregëtare dhe biznese private.
“Që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, kemi gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe në institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mosmbajtjes së distancës dhe mosmbajtjes së maskave”, thuhet në njoftim.
Instituti ka shtuar se këto ditë vërehet fluks i shtuar i lëvizjes së qytetarëve kudo nëpër Kosovë.
“Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajten e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme sipas planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve.
Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 1,756 raste me coronavirus, 968 janë shëruar dhe kanë vdekur 34 pacientë.