19-vjeçarja Heroina Mehmetaj i ka dhënë fund jetës mëngjesin e sotëm, duke u vetëvarur. Ajo është gjetur e vdekur në fshatin Gllogjan të Deçanit.
Gazeta Sinjali ka mësuar se Heroina ishte studente e Fakultetit Juridik në Universitetin e Pejës. Ajo gjithashtu ishte bursiste dhe kishte sukses të shkëlqyer në studime me notë mesatare 9.2.
Lajmin tragjik e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Në mëngjesin e sotëm Policia Rajonale e Pejës ka gjetur një trup të pajetë në fshatin Gllogjan të Deçanit. Viktima është e gjinisë femërore dhe me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në obduksion”, ka thënë Gashi.
Ai shtoi se janë duke vazhduar hetimet lidhur me këtë rast.
Ndërsa zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, tha për Gazetën Sinjali se janë duke e pritur rasportin e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) lidhur me trupin e pajetë të vajzës.
“Po, pasi që e kemi pranuar informatën në Prokurorinë Themelore e Pejës, përkatësisht departamenti për krime të rënda, prokurori kujdesar së bashku me njësitë kompetente kanë dalë në vendin e ngjarje. Bëhet fjalë për një trup të pa jetë të gjinisë femërore. E njëjta, me vendim të prokurorit të Shtetit është dërguar për obduksion. Hetimet do të vazhdojnë deri në zbardhjen e rastit”, tha Nikçi.
Pas tragjedisë së rëndë, me dhimbje të madhe për humbjen e motrës ka reaguar edhe vëllai i Heroinës, duke publikuar një fotografi të përbashkët me të.
“Ishalla në xhennet motra ime”, ka shkruar ai. /