Një 40-vjeçar u ekzekutua mbrëmjen e së enjtes te ‘Komuna e Parisit’ në Tiranë. Report Tv mëson se viktima është Hekuran Billa, 40-vjeç me origjinë nga Kukësi, i cili njihej ndryshe edhe me emrin Herland Bilali. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, pranë qendrës Tregtare “Kristal Centre”, ku Billa ka marrë plagë në kokë dhe në trup, që kanë çuar në vdekjen e tij të menjëhershme. Nga mënyra se si atentati është kryer, mësohet se bëhet fjalë për një ekzekutim mafioz.
Billa është qëlluar në ecje e sipër, në makinën e tij tip BMW X6 me timon dhe targa angleze ‘SS777 OHO’ me armë me silenciator. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga banorët të cilët thonë se nuk kanë dëgjuar të shtëna me armë, por vetëm një zhurmë si të një aksidenti, pasi automjeti është përplasur edhe me dy makina të tjera që ishin të parkuara në atë zonë. Viktima mendohet të ketë evidentuar atentatorin teksa e ndiqte, ku në tentativë për t’i shpëtuar plumbave është përplasur me 2 makinat e parkuara.
Report TV ka siguruar foton e viktimës dhe pamje nga vendi i ngjarjes, ku e gjithë zona është e rrethuar nga uniformat blu.
Viktima Hekuran Billa
Nga informacionet paraprake, mësohet se personi që ka kryer ekzekutimin kishte vënë në kapele. Ai është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, dhe mendohet se është ndihmuar nga persona të tjerë. Pas minuta pas atentatit, është gjendur një makinë e djegur në Pezë të Vogël, e cila dyshohet se i përkiste ekzekutuesve.
Kush ishte Hekuran Billa?
Report Tv mëson se Hekuran Billa, i njohur ndryshe si Herland Bilali, është një emër i njohur për drejtësinë angleze. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Prel Markut, ngjarje e ndodhur në 2006. Ai u shpall fajtor për tre akuza, “Vrasje” , “Vrasje mbetur ne tentative” dy herë si dhe “Plagosje me dashje”. Dy persona të tjerë u plagosën nga plumbat gjatë të shtënave. Pronari i klubit në Angli Musa Rrahmani u plagos edhe u hodh nga dritarja e katit të dytë për të shpëtuar. Billa nuk e ka kryer dënimin, në rrethana ende të paqarta ka ardhur në Shqipëri dhe ka hapur një biznes për dhënien me qira të makinave. Bëhet fjalë për një biznes të lokalizuar te “Qytet Studenti” i hapur në 27 janar të këtij viti.
Makina e viktimës model BMW X6 , plumbat në xham