Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se heqja e masës së vetizolimit ishte e detyrueshme për shkak të kapaciteteve të vogla të Kosovës, por edhe fluksit të madh të qytetarëve.
Zemaj ka theksuar se heqja e masave ndaj koronavirusit ka qenë vazhdimësi e qeverisjes së kaluar dhe kjo është bërë pas rekomandimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës.
“Asnjë lehtësim të masave nuk e kam marrë para masave që i ka ndërmarrë Qeveria e kaluar. E vetmja masë, kufizimi nga ora 9-5 nuk ka qenë masë e respektuar. Faza e tretë ka nisur përnjëherë. Njerëzit tërësisht janë liruar”, ka thënë Zemaj.
Sa i përket vetizolimit, Zemaj ka thënë se pas hyrjes në Kosovë përmes pikave kufitare të vendosur nga Qeveria Kurti, ajo masë nuk është mbikëqyrur dhe as respektuar.
“Vetëm në tri ditët e para kur kam ardhur ministër ka pas një fluks prej 13 mijë bashkatdhetarëve që kanë hyrë në Kosovë dhe iu rekomandohet që të futen në vetizolim, ne duhet t’i kemi 25 mijë policë ose 5 mijë inspektorë që duhet ta përcjellin këtë dinamikë që është e pamundshme”, ka deklaruar Zemaj në KTV.
Për këtë, Zemaj ka thënë se janë detyruar që ta heqin këtë masë.
Duke folur për rastet me koronavirus në Kosovë, ai tha se- rritja e numrit të rasteve ka ndodhur për shkak të mosdisiplinës.
Ministri i Shëndetësoisë ka shtuar se synon që ta shtojë efikasitetin sa i përket sistemit shëndetësor.