Maqedonia e Veriut ka regjistruar shifër rekorde të të infektuarve me koronavirus brenda 24 orëve të fundit.
Instituti i Shëndetit Publik, ka njoftuar për 177 raste të reja me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, numër ky më i lartë sesa ai i të enjtes, kur pati 120 të infektuar, ndërkohë që është njoftuar edhe për dy viktima të reja nga Kumanova dhe Shkupi.
Nga të infektuarit, vetëm në Shkup janë 105 raste, në Kumanovë, 26, Shtip 15, Tetovë, 13, Gostivar tetë, ndërsa në nëntë qytete tjera shifrat janë më të ulëta.
Këto rezultate janë bërë publike pas kryejes së 1,245 testeve për këtë virus në 24 orë.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, që nga shpërthimi i koronavirusit, Maqedonia e Veriut ka regjistruar 2,787 persona të infektuar, prej të cilëve 149 kanë vdekur, 1,629 janë shëruar kurse 1,009 janë aktivë.
Ministria e Shëndetësisë ka vazhduar t’iu bëjë thirrje qytetarëve për respektimin e masave mbrojtëse.
Ministri Venko Filipçe ka shkruar në Facebook se “mbajtja e maskave, distanca fizike dhe larja e duarve janë mjeti i vetëm për mbrojtje nga pandemia”, në të kundërtën sipas tij beteja kundër pandemisë do të jetë e dështuar.
Numri i madh i të infektuarve sipas institucioneve ka të bëjë me mosrespektimin e masave mbrojtëse në gjysmën e dytë të Muajit të Ramazanit dhe gjatë festimeve të Bajramit.
Shifrat pritet të jenë të larta deri në fund të javës.
Rritja e numrit të të infektuarve konsiderohet se po ndodh edhe për shkak të numrit të madh të testeve. Që nga fillimi i pandemisë në vend janë kryer rreth 35 mijë teste.
Qytetet më të goditura si Shkupi, Tetova, Kumanova dhe Shtipi, janë vendosur në izolim të plotë të lëvizjes, deri të hënën në orën 05:00