I nominuari për kryeministër të Kosovës, nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, sot do të propozojë emrat e ministrave të cilët më pas do të votohen në Kryesinë e partisë. Kryesia e LDK-së do të mblidhet sot në orën 16:00 për këtë çështje.
Kështu ka bërë të ditur kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
“E propozon sot z.Hoti, i nominuar për KM, një listë iniciale të kabinetit qeveritar nga LDK, pastaj vendosë Kryesia”, ka deklaruar Mustafa.
I pari i LDK-së ka shtuar se derisa Kryesia e LDK-së të marrë vendimin, asnjë emër i përmendur deri më tani për pjesë të kabinetit qeveritar, nuk është definitiv.
“Pa vendosë Kryesia e LDK-së, s’ka asnjë emër definitiv, përpos z. Hoti, për të cilin është vendosur më herët”, ka thënë Mustafa për Express.
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhet sot në orën 16:00, për të diskutuar dhe votuar rreth përbërjes së kabinetit të ri qeveritar.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës të enjten ka vendosur me votë unanime që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re.
Gjykatësit kanë marrë vendim edhe sa i përket afatit që ka mandatari për krijimin e qeverisë, por pro kësaj kanë votuar 7 gjykatës, 2 kanë dalë kundër.
Presidenti Thaçi mandatoi më 30 prill Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për të formuar një qeveri të re dhe Lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë kushtetutshmërinë e veprimit të presidentit.
Të gjitha partitë politike përveç Vetëvendosjes kanë kërkuar formimin e një qeverie të re ndërsa kanë theksuar se do të pranojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Lëvizja Vetëvendosje ndërkaq kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje, ndërsa kryetari i saj, Albin Kurti, ka thënë se kjo parti do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përderisa një gjë e tillë do të jetë interpretim i Kushtetutës.