Kalimi tek puna në distancë, ose nga shtëpia, si pasojë e pandemisë së koronavirusit, mund të bëjë që kompanitë të fillojnë të reduktojnë hapësirat e zyrave, çka do ti kursente atyre para por jo domosdoshmërisht do të përmirësonte produktivitetin mes stafit.
Lejimi nga bizneset që stafi të punojë nga shtëpia në baza të përhershme, edhe pasi izolimet të zbuten në vende të ndryshme, vë në pikëpyetje të ardhmen e qiellgërvishtësve të përdorur nga kompanitë shumëkombëshe, që shihen si simbole të kapitalizmit modern. Qendra të rëndësishme financiare, si Canary Wharf në Londër apo La defense në Paris, mbeten jashtëzakonisht të qeta edhe ndërsa qeveritë heqin kufizimet mbi distancimin social dhe udhëtimin përmes transportit publik.
Për Jes Staley, drejtor ekzekutiv i bankës britanike Barclays, nocioni i vendosjes së 7 mijë personave në një godinë, mund të jetë diçka që i përket tani të shkuarës. Ne do të gjejmë mënyrat të operojmë me më shumë distancë për një periudhë sa më të gjatë të mundshme – thotë ai. Gjiganti francez i makinave, PSA, që bën Peugeot dhe Citroen, tani e sheh punën në distancë si objektiv për dhjetëra e mijëra pjesëtarët e tij të stafit që deri më tani kanë punuar në zyra.
Twitter në anën tjetër ka bërë të ditur se disa punonjës së tij mund ta bëjnë punën nga shtëpia përjetë. Dhe e gjithë kjo, po konsiderohet një revolucion i mënyrës së të punuarit. Kompanitë kanë debatuar për të ardhmen e punës të paktën prej 10 vitesh por asnjëherë nuk kanë hedhur ndonjë hap konkret. Pandemia tani ka provuar se teknologjia e mbështet punën në distancë. Fleksibiliteti, sipas ekspertëve, tani do të marrë një tjetër domethënie. E madje edhe sondazhet tregojnë se pjesa dërrmuese e punonjësve, të kompanive të mëdha, besonin se puna nga shtëpia, duhet të vazhdojë edhe pas pandemisë.