Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka shprehur ngushëllime për familjet e dy viktimave që sot humbën jetën nga koronavirusi.
Në lidhje me këtë Vitia nga qytetarët ka kërkuar që t’i respektojnë masat për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit. Ai ka thënë se rastet e infektimit që po paraqiten në spital, janë gjithnjë e më të rënda.
Postimi i plotë:
Po e përcjellim me dhimbje të madhe, me ndjenjë të përgjegjësisë çdo shuarje jete në këtë kohë pandemie. Sot u larguan prej nesh edhe dy bashkëqytetarë në betejën kundër COVID-19.
Në botë, për shkak të pandemisë po flitet për të prekurit dhe rastet e fatalitetit vetëm me shifra. Por njerëzit janë njerëz e jo shifra. Përndryshe asgjë nuk ka rëndësi nga kultura dhe shtetndërtimi afatgjatë. Ndaj dhe merren masa institucionale. Masat, edhe pse duken se janë strikte ato kanë vetëm një qëllim: mos ta lejojmë shndërrimin e njeriut në shifër. Ne jemi një vend e një Republikë. Këtu njerëzit janë të gjithë tanët.
Ju lutem dhe një herë, duhet ta parandalojmë virusin. Çdo disiplinim i veprimtarive ekonomike dhe shoqërore duhet ta marrë një vlerë, shpëtimin e jetës. Ky virus na i ka bërë një gjë të qartë: nuk duhet të hyjmë në ciklin e sëmundjes, nuk duhet të hyjmë në lojën e fatit mes shërimit dhe fatalitetit.
Vëmendje: Rastet që po vijnë në spital janë gjithnjë e më të rënda. Ndaj duhet të mendojmë parandalimin me çdo kusht. ME ÇDO KUSHT.
Mes të qenit i shëndetshëm dhe të qenit i prekur ndarja është absolute. Afatgjatësia e masave tona është krejt relative. Jeta është absolute. Për jetën e secilit të punojmë të gjithë.
Si Ministri e Shëndetësisë, si Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, dhe si personel shëndetësor, po përpiqemi me çka mundemi.
Iu adresoj familjeve të gjithë ngushëllimet tona për humbjen e të dashurve.