Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se sot ka ndërruar jetë edhe një person nga koronavirusi në Kosovë, duke e çuar në dhjetë numrin e të vdekurve.
Viktima është një grua 73 vjeçare nga Peja, e cila ka pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
“Klinika Infektive njofton se pacientja M.B. e lindur më 1947, nga komuna e Pejës, e cila ishte e hospitalizuar në Klinikën Infektive në Departamentin e Mjekimit Infektiv, e diagnostikuar me Covid-19 dhe e cila është trajtuar nga data 25 mars deri më 16 prill 2020, ka ndërruar sot jetë në këtë klinikë. E njëjta ka pasur edhe sëmundje shoqëruese. Kjo është vdekja e dhjetë e shënuar në Kosovë e pacientëve me Covid-19, krahas problemeve të tjera shëndetësore që kishin”, thuhet në njoftimin e MSh.
Ndryshe, në Kosovë numri i rasteve të konfirmuara me Covid-19 është 423 , 10 prej tyre kanë vdekur, derisa 71 janë shëruar.
Ndërsa deri më sot, 1 person ka vdekur nga fshati Dumnicë e Podujevës, 1 nga fshati Korishë e Prizrenit, 2 nga Prishtina, 1 nga fshati Sazli i Ferizajt, 1 nga fshati Banjë e Malishevës, 1 nga fshati Vrapçiq i Gjilanit, 1 nga fshati Lluga të Istogut dhe 1 nga fshati Semetisht i Suharekës./