1,780,909 të infektuar dhe 108,852 vdekje janë të dhënat e fundit të përditësuara nga sëmundja Covid-19 që ka prekur të gjithë botën.
Sipas statistikave të publikuara nga Worldometers, numri i pacientëve të shëruar deri tani është 404,497. Pas Europës, epiqendra e shpërthimit të sëmundjes është përqendruar në ShBA, ku shteti më i goditur është Nju Jorku.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë numrin më të madh të të infektuarve dhe viktimave në rang global, me 533,115 të prekur dhe 20,580 vdekje.
Italia renditet në vendin e dytë me numrin më të madh të viktimave, me 19,468 vdekje të raportuara dhe 152,271 të infektuar. Edhe Spanja regjistron shifra tronditëse, ku numri total i të infektuarve ka arritur në 163,027, nga të cilët kanë ndërruar jetë 16,606 pacientë.
Edhe Franca ka një shifër të lartë, me 129,654 të prekur dhe 13,832 viktima.
Kina, vendi ku shpërtheu pandemia duket se ia hodhi sëmundjes. Pas 76 ditësh, Wuhani është hapur dhe së shpejti jeta do ti kthehet normalitetit. Deri tani janë raportuar 82,052 të infektuar dhe 3,339 viktima.
Ndërsa në Shqipëri numri i të vdekurve ka shkuar në 23 dhe janë 433 të infektuar. Luftën me këtë sëmundje në vendin tonë e kanë fituar 197 pacientë.