Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, në një prononcim për Mediaj ka dhënë detaje për gjendjen e pandemisë në këtë komunë.
Elezaj ka thënë se rasti i fundit me Covid-19 nga Gjurgjeviku i Madh në Klinë nuk ka pasur kontakt me familjarët e tij dhe nuk është parë e arsyeshme që të vihen në karantinë ky fshat.
“Pacienti është nga Gjurgjeviku i Madhe mirëpo ai ka qenë në qëndrim të përkohshëm në Mal të Zi dhe është kthyer përmes pikës kufitare të Kullës më 24 mars dhe direkt ka shkuar në karantinë, në Qendrën Studentore në Prishtinë.
Bazuar në informatat e IKSHPK-së ne nuk kemi nevojë që ta vëjmë fshatin në karantinë ngase pacienti nuk ka pasur kontakte me familjen”, ka thënë ai.
Elezi ka treguar se kanë mjete të mjaftueshme mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“Nga data 27 mars nuk kemi pranuar ndonjë ndihmë nga Ministria e Shëndetësisë, me 14 mars, 20 dhe 27 mars pra kemi pas ndihmesa.
Ne kemi mjaftueshëm masa mbrojtëse pasi kemi udhëhequr edhe procedurat e prokurorimit nga mjetet vetanake komunale kështuqë jemi duke e menaxhuar mirë”, tha ai.
Ndyshe në komunën e Klinës deri tani janë tre raste me Covid-19.