Aleksandër Nilaj, themelues i një organizate joqeveritare në SHBA, bën shpërndarjen dhe dërgimin e qindra pakove ushqimore në Nju Jork për njerëzit që kanë mbetur pa para, si pasojë e krizës që ka shkaktuar pandemia COVID-19.
Shqiptari me prejardhje nga Shqipëria ndihmon qindra familje në Bronks të Nju Jorkut, që kanë mbetur pa para e ushqim në kohë pandemie.
Sipas një reportazhi të transmetuar nga REL, Nilaj këtë e bën përmes organizatës së tij, që e formoi në vitin 2014. Sipas tij, nevoja më e madhe është për ushqim.
“Ushqimet të gjitha i kemi donacion. Një pjesë të tyre e marrim nga ‘Food Bank’, rezerva ushqimore), që është e shtetit. Ndërsa ushqimet e tjera i japin organizata të ndryshme, biznese të ndryshme. Kemi edhe biznese shqiptare, që na kanë përkrahur shumë. Kemi pasur një fluks që vjen e i merr ushqimet gjatë ditës”, thotë Nilaj.
Sipas tij, ata që kanë nevojë vijnë te depoja e ushqimeve në 07 të mëngjesit, kurse atyre që nuk kanë mundësi të vijnë iu dërgohet ushqimi në shtëpitë e tyre.
“situata është e tillë, që çdo njeri ka frikë të dalë në rrugë. Edhe ne kemi frikë, sepse në çdo moment mund të infektohemi. Ne kemi të bëjmë me qindra njerëz çdo fundjavë dhe çdo ditë me dërgime [të ushqimeve]. Por, ky është një proces humanitar të cilin ne nuk mund ta ndalim. Ata njerëz janë të varur. Janë në mes dy vështirësive, vështirësisë ekonomike dhe vështirësisë së virusit”, thotë Nilaj.
Organizata “Albanian – American Open Hand Association” ka gjithsej 28 vullnetarë