Elezaj uron 18 Qershorin, ditën e Çlirimit të Klinës.

Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, përmes Facebook ka uruar 18 Qershorin, ditën e Çlirimit të Klinës, ku ai sot tërë ditën ka qenë i angazhuar
POSTIMI I PLOT

Duke nderuar e kujtuar me krenari veprën e lavdishme të luftëtarëve të lirisë, kemi shënuar 20-të Vjetorin e Çlirimit të Klinës.

Fillimisht, bashkë me bashkëpunëtorë, përfaqësues të Organizatave të dala nga Lufta, institucioneve lokale dhe qytetarë kemi bërë homazhe dhe kemi venë kurora lulesh pranë shtatores së ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mujë Krasniqit, si dhe në kompleksin Memorial, “Kodra e Kuqe, te varrezat e dëshmorëve në Grabanicë.

Në shënim të kësaj ditë të shënuar në historinë e re të vendit, kemi mbajtur seancë solemne të Kuvendit Komunal, ku theksova se dita e sotme është Dita që përkujton sakrificën sublime, e cila mbolli rrënjët e lirisë dhe të ardhmërisë sonë, duke sublimuar qindra jetë dhe flijime për idealin dhe lirinë e popullit tonë. Kjo ditë shënon në kujtesën tonë nderimin dhe përkuljen para veprës së tyre.

Po ashtu, në nderim të gjithë dëshmorëve të Klinës, që jetën e tyre ia falen lirisë së vendit, në Qendrën e Kulturës, kemi mbajtur Akademi Përkujtimore, për të kujtuar e nderuar dëshmorët, martirët, të zhdukurit në luftën e gjatë dhe të drejtë të popullit shqiptar për liri e pavarësi.

Ky popull do t’u jetë përgjithmonë mirënjohës luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe miqve ndërkombëtar për ndihmën dhe gjithçka çfarë dhanë për lirinë e këtij vendi dhe të këtij populli.