Rezultatet e analizave të 20-vjeçares nga Gjakova që po dyshohet me koronavirus pritet të dalin sot.
Kështu ka bërë të ditur mbrëmë infektologu, Valbon Krasniqi.
“Tash për çdo ditë do të vijnë raste, personat që kanë ardhur sot pasdite, besoj testohen nesër dhe i presim rezultatet”, ka thënë Krasniqi.
Mbrëmë është raportuar se një vajzë nga Gjakova, 20-vjeçare, është nisur për QKUK nën dyshimin se është prekur nga koronavirusi.
Rastin e kishte konfirmuar ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit Rajonal të Gjakovës, Ilmi Shala, ku ka thënë se një vajzë e moshës së re dyshohet për koronavirus dhe është dërguar për në Prishtinë.
“Një vajzë e moshës së re, 20 vjeçare është transportuar për Prishtinë, ajo ka ardhur në spital pasi ka pasur temperaturë. Vëllai i ka ardhur nga Italia. Menjëherë e kanë dërguar për Prishtinë. E kanë izoluar dhe janë duke ia bërë analizat, rezultatet nuk kanë dalur ende”, ka deklaruar Shala.
Kujtojmë që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media ka thënë se ende nuk është konfirmuar asnjë rast në Kosovë.
Nga data 08.02.2020 deri me 12.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 93 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.